Shorti i Ligës së Konferencës ka vendosur Dinamon përballë klubit kazak të Astanës. Një klub i cili nuk po shfaqet në lartësinë e kërkuar në këtë edicion që ka mbërritur thuajse në gjysmë në Kazakistan, pasi ka pësuar shumë ndryshime në skuadër.
Vetë trajneri i klubit pak ditë më parë bëri apel se ekipi ishte në krizë financiare dhe nuk kishte lojtarët e duhur për të kërkuar që të përsëriste formën e mirë të treguar në edicionet e mëparshme. Dhe kjo shihet edhe nga rezultati i fundit i Astanës.
Ajo është mundur me shifrat 2-0 nga Aktobe në transfertë, duke rrëshqitur në vendin e 6 në klasifikim pas 14 ndeshjesh të luajtura, 12 pikë larg Ordabasi kryesues. Kjo ishte humbja e katërt deri tani e Astanës në kampionat, ku ajo ka vështirësi sidomos në prapavijë me 15 gola të pësuar në 14 ndeshje të luajtura.
