Nga: Fahri Musliu Shpërndaje në: Beograd, mbrëmje në teatër. Ajo frymëmarrje e njohur teatrale, shushurima e palltove në errësirë, ndonjë koll që gëlltitet në gjysmë, tingulli i hollë i programit që përkulet në duar. Dritat ulen, skena bën punën e saj kurse publiku beson në marrëveshje. Ju neve iluzionin, ne ju vëmendjen.
Shfaqja është “Madam Kollontajn”, e autores suedeze, Agnete Plejel, në skenë është Bekimi – njeriu që ka kaluar Kanën, ka kaluar Perëndimin, ka kaluar Prishtinën dhe ajo ndjenjë kur të shtyjnë drejt daljes që të mos bëhet skandal. Tani qëndron këtu, në qendër.
Luan dy role të dy personazhe të njohura politike; Leninin dhe Stalinin, dy figura kontroverse të Revolucionit Sovjetik të Tetorit, 1917. Aty ku pritet që gjithçka të jetë nën kontroll, ai bën një hap, që nuk bën pjesë në hapat teatrorë, nuk pret që të lëshohet perdja, nuk pret që publiku të vendosë nëse ishte mirë. Ai del dhe e braktis skenën gjatë ekzekutimit të dramës.
Jo si improvizim, jo si gabim, por si vendim. Në sallë ndodhi ajo pauzë e shëmtuar, e pakëndshme. Njerëzit nuk dinin si të reagojnë, sepse publiku nuk është trajnuar për të vërtetën. Publiku është trajnuar për fundin e aktit të shfaqjes, e këtu nuk ka fund akti. Këtu marrëveshja bie poshtë para syve. Në çast e tillë, teatri bëhet gjykatore.
Të gjithë instinktivisht kërkojnë shpjegim, sikur shpjegimi mund ta kthejë kontrollin. Pak njerëz do të guxonin të rrënonin suksesin e vet, famën në vend dhe në botë. Rrëfimi formal tingëllon njerëzishëm – probleme organizative. Por këtu shfaqen dy rrëfime. Njëri për publikun, tjetri për mirëkuptimin. Rrëfimi formal tingëllon njerëzishëm – probleme organizative.
E gjithë ajo që bukur hyn në një fjali dhe nuk kërkon që askush të marrë përgjegjësi morale. Organizimi është fajtor i përshtatshëm, sepse nuk ka fytyrë, nuk mund ta pështysh në sy, nuk mund ta nxjerrësh në skenë, ndërsa rrëfimi tjetër është i zhveshur dhe i pistë – pikërisht për këtë është i rrezikshëm.
Por Bekimi thotë se arsyeja e vërtetë është përhapja e urrejtjes antishqiptare dhe propaganda. Fjali pas së cilës nuk ka më truall neutral. Sepse, nëse kjo është e saktë, atëherë dalja e tij nuk është ekstravagancë e artistit, por refuzim për të qenë pjesë e një makine që urrejtjen e bën normalitet. Bekim Fehmiu më 1987 Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Në një vend që mbahet me kompromise të brishta, aktori që largohet nga skena nuk bën vetëm incident në teatër. Ai bën një incident në simbole. Ai refuzon të bëhet urë kur ura përdoret për të kaluar gënjeshtra mbi të. Dhe me këtë bëhet i pakëndshëm për të gjithë.
Për pushtetin – sepse zbulon atmosferën; për qarqet kulturore – sepse prish komoditetin; për një pjesë të publikut – sepse ua merr mundësinë të këndellën pa pyetje. Këtu vjen luhatja emocionale që e bën këtë tregim të fuqishme dhe refuzues njëkohësisht. Është madhështore, sepse ky është guxim.
Pak njerëz do të guxonin të rrënonin paraqitjen e vet, mbrëmjen e vet, prestigjin e vet vetëm që të mos pranojë të luajë. Është refuzuese, sepse njëkohësisht e kupton sa të pafuqishëm ishin të gjithë në sallë. Kishin blerë biletën, erdhën në shfaqje dhe papritur ranë në shpërthimin moral dhe politik për të cilin nuk kishin votuar. Dhe pikërisht kjo ngjall zemërim te disa.
Pse po na implikon në këtë? Thua se në këtë nuk mund të mos implikohesh. Bekimi, me këtë largim, këput edhe fijen e fundit të hollë të kompromisit. Deri atëherë ende ekzistonte mundësia të bisedohej, të zbuteshin gjërat, të mos bëhej zhurmë. Pas 14 prillit ai kalon në formën më e shtrenjtë e protestës – mungesë. Jo debat, jo konferenca, jo peticione, por mungesë.
E, mungesa në këtë shoqëri mund të jetë më e zëshme se prania. Sepse prania gjithmonë mund të shpjegohet si punë. Mungesën nuk mund ta justifikosh. Mungesa është aktakuzë. Derisa llafet për largimin e tij përhapen nëpër korridore, kafene, redaksi… derisa disa thonë “i çmendur”, e të tjerë “me në fund dikush…”, Bekimi mbyll derën prapa vetes.
Dhe ajo derë nuk mbyllet vetëm për një shfaqje, mbyllet për gjithë lojën publike. Pika e moskthimit. Pas kësaj, ai nuk do të kërkojë angazhim të ri për t’u kthyer si ngadhënjimtar. Ai do të bëjë diçka shumë më të çuditshme: do të pushojë së qeni i dukshëm. Arti këtu bëhet mbulesë tavoline në banket. Me vite të tëra. Me qëllim.
Çka ndodh te njeriu, i cili ka mundur të bëhej trofe kombëtar dhe fytyrë ndërkombëtare, vendos të zhduket nga mediat? Dhe çfarë ndodh me të, me familjen e tij… dhe me jetën e tij, kur heshtja bëhet mënyra e vetme për të ruajtur fytyrën? Pas “Madam Kolontajn” nuk u krijua shfaqja e re, u krijua vrima. Dhe ajo vrimë ishte e qëllimshme.
Pyetja nuk ishte më ku do të luante Bekimi herën tjetër, por nëse dikush do ta dëgjonte më fare kur vendos të mos jetë më. Dhe këtë veprim, ai e bëri atë në moshën më të mirë krijuese për artisin, si 51-vjeçar. Dhe atë pikërisht në dërrasat e Talias, në teatrin ku e nisi karrierën prej aktori, më 1960. Por njëkohësisht vendos të mos paraqitet edhe në filma vendorë. Dhe jo vetëm këtë.
Por ai pjesën tjetër të jetës deri në vdekje, e kalon i tërhequr në vetmi dhe në heshtje. Si forma më specifike e mospajtimit dhe e protestës. Këso vendimesh nuk mbahet mend të ketë marrë ndonjë aktor/artist i kalibrit të Bekimit. Prej vitit 1987 deri në 1992, ai zgjedh vullnetarisht heshtjen mediatike dhe izolimin në vetmi.
Jo atë heshtje nga përtacia, por heshtjen si protestë, si disiplinë. Si dënim ndaj vetes dhe ndaj të gjithëve përreth tij. Në vendin ku çdo gjë zgjidhej me bisedë, ai e ndërpret bisedën. Nuk jep intervista, nuk sqarohet, nuk hyn në studiot televizive për të aktruar njeriun e logjikshëm mes zhurmëbërësve.
Në ambientin e tillë, mungesa është mesazh brutal – nuk dua t’u jem dekor derisa hapësira po mbushet me helm. Por kjo heshtje nuk është arratisje në mal, nuk është tërhequr si romantik por mbetet i lidhur për teatrin. Thjesht ndryshon rregullin e lojës. Rri afër, por kur në sallë hyn establishmenti politik, kur pritet që arti të jetë dekor për pushtetin, Bekimi i shmang mbrëmjet e tilla.
Jo sepse është frikacak, por sepse përbuz ritualin në të cilin njerëzit ia rrahin shpatullat njëri-tjetrit, ndërsa jashtë bota po shembet. Dhe derisa ai hesht, koha në rajon fillon të bëjë punën e vet të përgjakshme.
Bekim Fehmiu si Stalini në “Madam Kollontajn” Vitet nëntëdhjetë vijnë si thyerje xhami, njerëzit që deri dje rrinin në të njëjtën tryezë fillojnë të shikoheshin si shënjestra dhe, në atë kaos, Bekimi bën diçka që shumëkush e bënë në heshtje – pa fanfara, pa flamuj. Mbron familjen: i nxjerr djemtë – Uliksin dhe Hedonin jashtë vendit që të shpëtojnë nga shërbimi ushtarak.
Nuk është akt filmik, nuk ka muzikë heroike, por është hesap i ftohtë i mbetjes gjallë. Në kohë të tilla, shteti së pari e thërret fëmijën tënd, e tek pastaj të pyet çfarë mendon për luftën. Këtu shihet edhe një tjetër kokëfortësi e tij… Nuk jam trofe i askujt, e as fëmijët e mi nuk do të jenë projekt i askujt.
Derisa e gjithë kjo ndodh, edhe më tutje e përcjellin dy imazhe që përplasen në mendjet e njerëzve. Të parët e kujtojnë si aktor të madh, yll, person i cili gjithmonë ka mundur të jetë i pranishëm. Të tjerët e kujtojnë si njeriun që u zhduk pikërisht kur duhej të ishte më i zëshmi. Por ai, në fakt, po bënte të tretën… po heshtte që të mos i jepte legjitimitet gënjeshtrës.
Në atë heshtje megjithatë ekziston një rrugëdalje, një çarje e vogël… Filmi. Punën që e bën, e kryen dhe shkon. 1998: Bekimi e luan rolin e vet të fundit në film dhe në jetë Në vitin 1998, për herë të fundit Bekimi angazhohet të luajë në një seri televizive italiane, “Zemra dhe shpata” për produksionin e televizionit të magnatit italian, Silvio Berluskoni, dhe në rolin që e luan prapë shkëlqen.
Ishte ky roli i tij i fundit, sikur t’i kishte mbyllur dyert në atë fushë. Dikush do të thoshte fundi i karrierës, ai me gjasë do të thoshte fundi i kompromisit. Kur shumëkush do të prisnin që të mbetet legjendë që jeton nga kujtimet e të tjerëve, Bekimi bëri diçka që e kthen në hapësirë, por sipas kushteve të tij. Ai e tregoi talentin dhe aftësinë e tij në shkrime memoaristike.
Në vitin 2001, ai boton librin e kujtimeve “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” në serbokroatisht, vëllimin e parë ku e përfshin periudhën nga lindja më 1936 në Sarajevë, deri më 1956 kur regjistrohet në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, kurse pjesa e dytë e përfshin periudhën nga fillimi i studimeve në Beograd, deri në gusht të vitit 1989.
Pjesa e jetës pas kësaj kohe Bekimit nuk i ka interesuar. Libri nga ekspertë e kritikë të letërsisë u vlerësua si “vepra më e mirë memoaristike që është shkruar ndonjëherë, jo vetëm në këto hapësira ballkanike, si për nga për nga përmbajtja ashtu për nga stili”.
Bekimi librin e ka shkruar më 1989, për 6 javë, në shqip, në të folurit e Prizrenit, dhe përkthimin e mrekullueshëm në serbokroatisht e bën vetë. Vetë titulli i librit, i shkëputur nga një fjali i romaneve të Albert Kamysë “jeta e fëmijëve është e shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, tingëllon si diagnozë e jetës. Nga njëra anë, shkëlqim, nga ana tjetër, tmerr, dhe ky është rikthimi i tij.
Por jo në qilimin e kuq, por rikthimi në tekst. Në libër nuk mund ta ndërpresësh në mes të replikës, nuk mund t’i thuash jeta është e tmerrshme: “shko që të mos bëhet skandal”. Faqja e letrës e duron vetëm të vërtetën e atij që e shkruan.
Ironia: njeriu që për vite me radhë heshti para kamerave, kur lëvizja bëhet fjalë, flet më zëshëm atje ku nuk ka duartrokitje, ku nuk ka publik në sallë,… nuk ka mysafirë politikë në rreshtin e parë të sallës së teatrit a të filmit. Por je vetëm ti dhe fjalia. Vetëm ti dhe fjala, letra. Vetëm ti dhe ajo që nuk mund ta fusësh më nën qilim.
Dhe tamam kur mendon se e ka gjetur formën ideale të ekzistencës, pason logjika tjetër, më e zezë e jetës. Libri mund ta ruajë zërin, por nuk mund ta ndalë llogarinë që trupi një ditë ta paraqet.
Bekimi arriti të mbijetojë skenën, tregun, propagandën dhe heshtjen, por mbetet pyetja që çon drejt e në etapën e fundit – çfarë ndodh kur njeriu, më në fund, e rrëfen tregimin e vet deri në fund dhe koha, pa negociata, e dërgon faturën e fundit.
Libri ishte mënyra e tij për t’u kthyer pa leje, por trupi nuk i lexon kujtimet, trupi e llogarit të veten dhe, në heshtje, me ngulm e inkason kur t’i vijë. Bekim Fehmiu para shtëpisë në Prizren pranë “Lumbardhit” (Foto: Shukri Kaçaniku) , ora Lajmi është i shkurtër, i prerë, pa asnjë estetikë artistike. “Ka vdekur Bekim Fehmiu.
Ka bërë vetëvrasje në dhomën e vet të punës, në lagjen ‘Zvezdara’ në Beograd…” Sikur jeta, pas gjithçkaje, e ka zgjedhur mënyrën më mizore për ta sjellë në kufirin fizik. Njeriu që iku nga klishetë, që i iku nga etiketat, që iku nga loja mediatike – papritur u robërua në trupin e vet.
Në çaste të tilla njerëzit duan të ndërtojnë tregime, të kërkojnë një shkak, një fjali që shpjegon gjithçka, por këtu nuk ka një fjali. Ka vetëm vazhdimësi. Jeta që vazhdimisht kërkonte të përkulej, e ai vazhdimisht e refuzonte… dhe në fund, kur nuk mund të luftosh me zë, kur lëvizja ngushtohet, kur trupi të tradhton, njeriu mbetet vetëm me veten, pa publik. Pa duartrokitje.
Pa skena që do ta fshihnin dobësinë. “Bekimi nuk bëri vetëvrasje, por atë e vrau politika, urrejtja, e vramë ne shqiptarët. Sepse mburreshim me emrin e tij, por ia zinim për të madhe që ishte i ‘martuar me serbe’, që jetonte në Beograd, që nuk luajti asnjë film në shqip… Kështu mendojnë ata që jetojnë me mendësinë e oborrit të rrethuar me gardh.
Nuk e dinë se ka njerëz që i japin kulturës kombëtare, por ka të tillë që i japin kulturës botërore, dhe bëhen të famshëm si përfaqësues të një etnie apo kombi. Dhe i tillë ishte Bekimi, ama ne nuk deshëm ta kuptojmë.” Por ai edhe vdekjen e bëri në mënyrë filmike: me skenarin, regjinë dhe rolin kryesor të përgatitur dhe luajtur vetë.
Pas vdekjes mbeten ritualet, por te Bekimi edhe rituali bart mesazhin. Sepse hiri i trupit të tij, sipas amanetit, u hodh në lumin “Bistrica” (Lumbardhi) i Prizrenit. Jo në qendrën e pushtetit, jo në kryeqytet, pra në Beograd. Jo aty ku do ta vendosnin me dëshirë si “legjendën tonë”, por në vendin dhe hapësirën e fëmijërisë dhe rinisë së vet.
Në gjeografinë e cila ishte personale, jo politike. Si hap i fundit i njeriut i cili edhe i vdekur refuzoi të ishte trofe, nis jeta tjetër, ajo e cila nuk ka më lidhje me zgjedhjet e tij, por me zgjedhjet e atyre që kanë mbetën.
Pra Bekimi iu kthye Prizrenit, qytetit të cilin e donte aq shumë dhe, të cilit, gati fund e krye, ia kushtoi pjesën e parë të librit të vet autobiografik, ku shkroi rreshtat më të bukur se kushdo tjetër për këtë qytet: ku i bëri edhe hapat e parë të aktrimit, në seksionin e dramës të SHKA “Agimi”, nga ku u nis në ujëra të panjohur të shkollimit për aktor dhe arriti majat e artit të shtatë.
U bë me famë botërore, e realizoi dëshirën dhe premtimin që ia kishte dhënë nënës Dije. Dhe prapë iu kthye Tokës, Qiellit dhe Ujit të Prizrenit, që hiri i trupit të tij, me anë të Bistricës e Dinit të derdhët në Detin Adriatik, dhe nga aty në detet e oqeanet e botës. Sepse ai nuk ishte i askujt, por i njerëzimit dhe i të gjitha kulturave botërore.
Dhe këtu arrijmë te pyetja që mbetet pas çdo biografie të madhe, por këtu dhemb më shumë, sepse çmimi ishte i vërtetë. Bekimi dëshmoi se mund të refuzohet roli që shoqëria ta destinon – mund të ngrihesh dhe të largohesh nga skena, mund të heshtësh kur të gjithë presin që të flasësh sipas kushteve të tyre, mund të shkruash në vend që të pozosh… por, a mundet këtë secili?
Po të ishit ju në vendin e tij, a do ta refuzonit sigurinë, duartrokitjet dhe normalitetin, sikur ta dinit se për këtë ju presin vetmia, heshtja dhe një llogari e cila ndoshta nuk mbyllet kurrë. Ky pra ishte Bekim Fehmiu, ikona e kinematografisë botërore, artisti dhe shqiptari më i madh e më i njohur në botë, i shekullit të XX, i cili vazhdon të qëndrojë në atë lartësi, i pazëvendësueshëm!
LEXO EDHE:
