Proza shqiptare e kujtesës dhe e dhimbjes historike

0%

“PËLHURA E BARDHË NË LIS” – METAFORA E DASHURISË AMNORE PËRTEJ KUFIJVE DHE KOHËS “ Në tregimin e Sami Mulaj, drama e ndarjes kombëtare shndërrohet në një elegji të fuqishme njerëzore, ku kujtesa, sakrifica dhe komunikimi simbolik mes nënës dhe bijës triumfojnë mbi diktaturën, kufirin dhe vdekjen”.

Nga Tregimi i shkrimtarit Sami Mulaj, “Pëlhura e Bardhë në Lis”, përfaqëson një nga ato proza ku memoria kolektive, drama historike dhe etika shpirtërore e shqiptarit ndërthuren në një strukturë narrative me ngarkesë të thellë emocionale dhe simbolike.

Tregimi ngrihet mbi një ngjarje të thjeshtë në dukje – komunikimin përmes një pëlhure të bardhë mes një nëne dhe një bije të ndara nga kufiri – por në thelb ai shndërrohet në një metaforë të madhe të ndarjes kombëtare dhe të triumfit moral të dashurisë familjare mbi dhunën politike dhe historinë represive.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Autori e vendos rrëfimin në sfondin dramatik të prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, duke e përdorur historinë si një hapësirë tragjike ku individi mbetet viktimë e ideologjive dhe kufijve artificialë. Kufiri nuk paraqitet vetëm si vijë gjeografike, por si instrument çnjerëzimi, që ndan gjakun, kujtesën dhe vetë ekzistencën shpirtërore të njeriut.

Për këtë arsye, simbolika e “pëlhurës së bardhë” fiton një dimension të shumëfishtë: ajo është shenjë jete, kod komunikimi, amanet, kujtesë dhe rit i mbijetesës emocionale. Një nga kulmet artistike të tregimit është amaneti i nënës drejtuar së bijës: “…çdo të diel do të shikosh një pëlhurë të bardhë mbi këtë lis… kështu do ta njohim njëra-tjetrën se jemi gjallë e shëndoshë…”.

Ky fragment përmbledh tërë filozofinë e tregimit: komunikimin përtej heshtjes së imponuar nga historia. Lisi, si simbol i qëndrueshmërisë dhe i rrënjëve kombëtare, shndërrohet në një altar të kujtesës, ndërsa pëlhura e bardhë në një liturgji të heshtur dashurie. Personazhi i gjyshes Borë është ndërtuar me madhështi epike dhe me finesë psikologjike.

Ajo nuk është vetëm një nënë shqiptare, por një figurë arketipale e sakrificës dhe qëndresës. Stoicizmi i saj, përkushtimi ritual dhe heshtja dinjitoze e ngrejnë në nivelin e figurave emblematike të letërsisë shqiptare të dhembjes. Edhe në çastet e sëmundjes dhe paralizës, ajo nuk ankohet; e vetmja frikë e saj është që bija të mos e marrë vesh vuajtjen e nënës.

Kjo e bën Borën një figurë morale të jashtëzakonshme, ku dashuria amnore fiton përmasa pothuajse sakrale. Po aq domethënës është edhe personazhi i Pranverës, që trashëgon amanetin shpirtëror të hallës dhe, pa e kuptuar plotësisht peshën metafizike të veprimit të saj, vazhdon ritin e pëlhurës së bardhë edhe pas vdekjes së Borës.

Në planin simbolik, Pranvera përfaqëson vazhdimësinë e kujtesës dhe të lidhjes shpirtërore midis brezave. Pikërisht përmes saj tregimi arrin kulmin emocional dhe filozofik, kur zbulohet se ajo “ia kishte zgjat edhe tre vjet jetën nanës”.

Kjo frazë shndërrohet në boshtin metafizik të veprës, sepse autori sugjeron se njeriu jeton për aq kohë sa mbetet i gjallë në ndërgjegjen dhe dashurinë e tjetrit. Në aspektin stilistik, tregimi karakterizohet nga një gjuhë e kursyer, e natyrshme dhe autentike, ku dialekti dhe fraza popullore nuk përdoren vetëm si element folklorik, por si bartës të identitetit kulturor dhe emocional.

Rrëfimi ecën me ritëm të qetë, pothuaj ceremonial, duke krijuar një atmosferë elegjiake që e mbështjell të gjithë tekstin me ndjesinë e mungesës, mallin dhe pritjen. Përfundimi i tregimit ka një forcë të rrallë katartike.

Fjalia: “Nënat nuk vdesin kurrë kur bijtë e bijat e tyre i përjetojnë ato të gjalla në mendje e në shpirt”, është jo vetëm mesazhi final i tregimit, por edhe sentenca e tij universale. Ajo e tejkalon kufirin e një historie individuale dhe bëhet filozofi humane mbi kujtesën, dashurinë dhe pavdekësinë shpirtërore.

“Pëlhura e Bardhë në Lis” mbetet kështu një tregim i fuqishëm i dhembjes shqiptare, një elegji për kufijtë që ndanë familjet dhe një himn i heshtur për dashurinë amnore, e cila arrin të triumfojë edhe mbi kohën, edhe mbi vdekjen.

Tregimi, përtej vlerës së tij si prozë e shkurtër, bart në embrion strukturën narrative dhe simbolike të një romani të madh, madje edhe të një skenari filmi artistik me ngarkesë të fortë poetike dhe dramatike.

Bota që ndërton autori – jeta paralele në Tropojë dhe në Morinë, në të dy anët e kufirit – ofron mundësi të jashtëzakonshme për zgjerim epik, ku drama individuale ndërthuret me fatin kolektiv të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga historia.

Rituali i pëlhurës së bardhë në lis dhe zjarrit në anën tjetër shndërrohet në një sistem të tërë komunikimi simbolik, arkaik dhe njëherazi modern në kuptimin metaforik. Çarçafi i bardhë merr funksionin e një ekrani imagjinar, një “televizioni të heshtur”, ku secila palë projekton ankthin, shpresën dhe hamendësimet për jetën e tjetrit përtej kufirit.

Pikërisht këtu qëndron edhe origjinaliteti i veprës: trajtimi i komunikimit të pamundur mes njerëzve të të njëjtit gjak, të detyruar të flasin me shenja e simbole, si në kohët primitive, për shkak të një kufiri absurd të imponuar.

Kjo temë, ende pak e trajtuar në prozën shqiptare, i jep tregimit jo vetëm vlerë artistike, por edhe rëndësi të veçantë në planin e kujtesës historike dhe të antropologjisë shpirtërore të shqiptarëve.

Burimi: Bota Sot