Qeveria e Uellsit të Ri Jugor (New South Wales), në Australi, ka paraqitur një reformë të ashpër ligjore, që synon të godasë në mënyrë drastike fenomenin e kafshëve të mbyllura në automjete, raportoi “abc news”.
Sipas propozimit, do të krijohej një vepër penale specifike për këdo, që lë qenin brenda një makine të ekspozuar në diell, ku temperaturat mund të tejkalojnë 50 gradë Celsius dhe të bëhen fatale brenda pak minutash.
Qeveria e shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor (New South Wales) ka paraqitur një projektligj të ri, për forcimin e mbrojtjes së kafshëve, i cili synon të ndalojë në mënyrë më të rreptë, rastet kur qentë lihen brenda makinave të ekspozuara në temperatura të larta.
Sipas medieve australiane dhe burimeve zyrtare, propozimi parashikon krijimin e një vepre të re penale specifike, që do ta bënte të paligjshme lënien e qenve në automjete pa ventilim apo ftohje të mjaftueshme, në kushte të nxehta.
Në disa versione të projektligjit përmendet edhe një kufi praktik rreth 10 minutave në temperatura mbi 28°C, pasi brenda makinës temperaturat mund të rriten shumë shpejt dhe të bëhen vdekjeprurëse.
Sanksionet e propozuara janë të ashpra dhe përfshijnë: gjobë deri në 44,000 dollarë australianë; deri në 1 vit burg dhe në rastet më të rënda të keqtrajtimit, dënimet mund të shkojnë deri në 2 vjet burg dhe gjoba më të larta.
Masa synon të kapërcejë pengesat e mëparshme ligjore dhe burokratike, duke lejuar ndërhyrje më të shpejta dhe ndëshkime më të forta për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve.
Projektligji nuk kufizohet vetëm te makinat, por përfshin edhe masa të tjera për mirëqenien e kafshëve, si ndalimi i përdorimit të disa kollareve të dhimbshme (prong collars) dhe rregulla më të rrepta për transportimin e qenve në pjesën e pasme të automjeteve.
Autoritetet dhe organizatat për mirëqenien e kafshëve në Australi, kanë mbështetur propozimin, duke theksuar se edhe në temperatura rreth 30°C, ambienti brenda makinës mund të arrijë mbi 60–70°C, duke rrezikuar jetën e kafshës brenda pak minutash.
