Mesfushori i Portugalisë dhe i Paris Saint-Germain, Joao Neves, është bërë objekt i sulmeve në rrjetet sociale nga një pjesë e tifozëve të Cristiano Ronaldo pas deklaratave të tij pas barazimit 1-1 të Portugalisë ndaj Kongos në ndeshjen hapëse të Grupit K në Kupën e Botës 2026.
Ronaldo, 41 vjeç, udhëhoqi Portugalinë si kapiten në këtë takim, por paraqitja e tij individuale u kritikua gjerësisht nga analistë dhe komentatorë sportivë. Shumë vlerësuan se lëvizshmëria e tij nuk është më ajo e dikurshmja dhe se varësia e tepruar e Portugalisë nga ndikimi i tij nuk po i sjell ekipit përfitimin maksimal.
Megjithatë, një nga personat që nuk e vuri aspak në dyshim rolin e Ronaldos ishte pikërisht Joao Neves. “Ne e dimë çfarë ka bërë Cristiano për ne, për kombëtaren tonë dhe për botën e futbollit. Por në këtë moment, ai dhe ne e dimë se nuk është ndryshe nga të tjerët”. “Ai është thjesht një lojtar tjetër këtu për të ndihmuar ekipin. Nuk është ndryshe nga askush tjetër.
Është këtu për të kontribuar, ashtu si të gjithë ne”. “Ai luajti shumë mirë. Mendoj se e gjithë skuadra zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer”, kishte deklaruar 21-vjeçari. Deklaratat e Neves u interpretuan nga shumë media si një mbrojtje e Ronaldos dhe një vlerësim për qëndrimin e tij brenda grupit, pavarësisht statusit legjendar që gëzon në futbollin botëror.
Megjithatë, komentet e tij nuk u pritën mirë nga një pjesë e tifozëve më fanatikë të Ronaldos. Postimi i tij i radhës në Instagram u mbush me mijëra komente, ku përdorues të ndryshëm e kritikonin mesfushorin portugez dhe i kujtonin se po luan në të njëjtën skuadër me një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.
Mes komenteve kishte edhe shumë GIF-e dhe reagime që tregonin Ronaldon duke treguar veten me gisht, ndërsa disa tifozë e akuzonin Neves se kishte minimizuar rëndësinë e pesë herë fituesit të Topit të Artë./ Telegrafi
