Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u bërë transferimi i katërt më i shtrenjtë në historinë e futbollit për sulmuesit që kanë kaluar moshën 32-vjeçare.
Kalimi i Muriqit nga Mallorca te Fenerbahçe për shumën prej 15.5 milionë eurosh e vendos atë në një listë elitare të futbollistëve veteranë që kanë gjeneruar shifra të mëdha në tregun e transferimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Transfermarkt, vetëm Cristiano Ronaldo, Robert Lewandowski dhe një tjetër transferim i Ronaldos renditen përpara yllit nga Ksoova në këtë kategori.
Në krye të listës qëndron transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi te Juventusi për 117 milionë euro, ndërsa vendin e dytë e mban Robert Lewandowski me kalimin nga Bayern Munich te Barcelona për 45 milionë euro. Pozita e tretë i takon sërish Ronaldos me transferimin nga Juventusi te Manchester United për 17 milionë euro. Pas tyre vjen Muriqi me 15.5 milionë euro.
Ky transferim dëshmon vlerësimin e lartë që vazhdon të ketë “Pirati” në futbollin evropian, pavarësisht moshës. Sulmuesi prizrenas ka qenë një nga figurat kryesore të Mallorcës në sezonet e fundit, duke u shndërruar në lider të skuadrës spanjolle falë golave dhe paraqitjeve të tij të qëndrueshme.
Muriqi rikthehet kështu te Fenerbahçe, klub ku kishte lënë gjurmë edhe në aventurën e tij të parë, para se të transferohej te Lazio. Rikthimi i tij është pritur me entuziazëm nga tifozët e skuadrës turke, të cilët shpresojnë që sulmuesi kosovar të vazhdojë formën e shkëlqyer që ka treguar në La Liga.
