Shpërndaje në: Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se është e shokuar që presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë një televizioni në Itali se ajo “e ka lutur” për një foto me të. Meloni i ka quajtur trillime deklarimet e Trumpit. E ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, menjëherë ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në SHBA javën e ardhshme.
Të dy liderët botërorë u duk se u pajtuan kur u panë në një takim sy më sy në Francë ditë më parë në takimin e G7-s. Raportet i kishin prishur pas nisjes së luftës së SHBA-së në Iran. Por mjaftoi një deklaratë e Trumpit për të rikthyer tensionet. “Ajo më ka lutur për një fotografi me të. E donte një foto aq shumë.
Kam mundur të mos e bëja, por më erdhi keq për të”, ka thënë Trumpi për “La7”. E duke iu përgjigjur, Meloni në Instagram postoi një video me titullin “Italia dhe unë kurrë nuk përgjërohemi”. Meloni aty ka thënë se “disa gjëra meritojnë përgjigje të menjëhershme”. “Deklaratat e Donald Trumpit janë tërësisht të shpikura. Sigurisht, jam e tronditur.
Nuk e di pse presidenti amerikan sillet kështu me aleatët e tij. Nuk është hera e parë që po ndodh. Mund të them vetëm se është për të ardhur keq që ai nuk e tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit”, ka thënë ajo.
