Llapi ka bwrw tw ditur se ka arritur marrëveshje me futbollistin holandez Joep Kluskens. “Mesfushori defensiv 23-vjeçar ka nënshkruar kontratë me KF Llapi deri në verën e vitit 2029, duke iu bashkuar bardhekaltërve në prag të sezonit të ri garues. Kluskens vjen nga futbolli holandez, një prej mjediseve më të zhvilluara në Evropë për formimin dhe zhvillimin e futbollistëve.
Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e akademive prestigjioze të Fortuna Sittard dhe PSV Eindhoven, ndërsa përvojën më të madhe profesionale e ka fituar me VVV-Venlo, nga ku edhe transferohet në klubin tonë.
Me fanellën e VVV-Venlo, Kluskens zhvilloi 71 ndeshje zyrtare, duke u dëshmuar si një prej futbollistëve më të rëndësishëm në repartin e mesfushës dhe duke fituar përvojë të vlefshme në futbollin holandez.
I njohur për disiplinën taktike, inteligjencën në lojë, qetësinë me topin dhe aftësinë për të kontrolluar ritmin e ndeshjes, Kluskens pritet të sjellë cilësi dhe stabilitet në mesfushën e skuadrës sonë.
Transferimi i tij vjen si përpjekje e drejtuesve të klubit për ndërtimin e ekipit për sezonet e ardhshme, teksa klubi vazhdon të forcohet me futbollistë cilësorë nga tregu ndërkombëtar”, ka njoftuar KF Llapi.
