VLEN: “One Stop Shop” me Shqipërinë forcon lidhjet ekonomike, turistike dhe familjare

0%

Nga VLEN thonë se vendimi për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në kufirin me Republikën e Shqipërisë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit kufitar dhe afrimit praktik të qytetarëve të dy vendeve. VLEN e vlerëson këtë zhvillim si pjesë të një qasjeje të re që e sheh kufirin jo si pengesë, por si pikë lidhjeje, ku procedurat administrative zëvendësohen me koordinim institucional dhe ritëm më të shpejtë lëvizjeje. “Ky model sjell ndryshim real në përditshmërinë e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ngarkesave sezonale, sidomos gjatë muajve të verës kur qarkullimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm. Përveç aspektit teknik, ky është një sinjal i qartë politik për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe familjare mes dy vendeve”. “Lëvizja më e shpejtë e njerëzve nënkupton edhe më shumë shkëmbime, më shumë tregti dhe më shumë mundësi zhvillimi për bizneset lokale në të dy anët e kufirit. Në këtë kontekst, “One Stop Shop” shihet si pjesë e një qasjeje më të gjerë rajonale, e cila tashmë është duke u zbatuar edhe në kufijtë me Kosovën dhe Serbinë, duke krijuar një standard të unifikuar për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e efikasitetit kufitar”, thonë nga VLEN.

Burimi: Bota Sot