Nga: CNN Përktheu:
Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Pas evakuimit të qindra fëmijëve ukrainas drejt Italisë në fillim të luftës, shumë prej tyre kanë mbetur atje mes kujdestarisë dhe adoptimeve të kontestuara. Autoritetet në Kiev po kërkojnë kthimin e tyre, duke argumentuar se qëndrimi duhet të jetë i përkohshëm. Ndërkohë, gjykatat italiane dhe familjet kujdestare shpesh kundërshtojnë rikthimin, duke e komplikuar situatën. Rasti është shndërruar në një konflikt të ndjeshëm ligjor dhe humanitar në mes të dy vendeve. Kur drejtoresha e një shtëpie për fëmijë në Ukrainë, Liubov Rudyka, i çoi të miturit që kishte nën kujdes në Napoli pas pushtimit rus, ajo mendonte se po i çonte drejt sigurisë. Nuk i shkoi kurrë në mendje se Italia mund të mos dëshironte t’i kthente më. Megjithatë, katër vjet më vonë, rikthimi i tyre në Ukrainë është kthyer në një betejë ligjore. Autoritetet ukrainase kanë deklaruar për CNN-in se disa nga fëmijët e evakuuar në Itali me Rudyka janë në mesin e dhjetëra të miturve ukrainas, kthimi i të cilëve në atdhe është penguar nga gjykatat italiane. Një mosmarrëveshje për këtë çështje u përshkallëzua në prill, pasi Kievi njoftoi se një nga fëmijët ukrainas, një djalë 15-vjeçar me emrin Sasha, ishte adoptuar ligjërisht nga një familje italiane – pavarësisht se ka një nënë që dëshiron ta marrë përsëri në Ukrainë. Kievi argumenton se evakuimet kishin karakter të përkohshëm dhe se, megjithëse lufta vazhdon, situata është stabilizuar në disa pjesë të vendit dhe ka zona të sigurta ku fëmijët mund të kthehen. Shqetësimi kryesor i qeverisë ukrainase është se sa më gjatë të qëndrojnë fëmijët jashtë vendit, aq më të vogla bëhen gjasat që ata të kthehen në të ardhmen – një perspektivë shqetësuese për një vend që përballet me një krizë të madhe demografike. Ombudspersoni i të drejtave të njeriut në Ukrainë, Dmytro Lubinets, i tha CNN-it se Italia po refuzon të bashkëpunojë me Kievin për këtë çështje dhe po pengon autoritetet ukrainase të kontrollojnë mirëqenien e fëmijëve. “Ne vazhdojmë të dërgojmë kërkesa zyrtare dhe përfaqësuesit italianë thonë se gjyqësori është plotësisht i pavarur dhe se nuk mund të ndikojnë në këtë vendim. Por unë kërkoj që ata të ndërhyjnë”, tha ai, duke e krahasuar situatën me rastet e mijëra fëmijëve ukrainas që janë deportuar në mënyrë të paligjshme në Rusi. Kremlini e mohon këtë dhe thotë se fëmijët janë evakuuar për sigurinë e tyre. “Qëndrimi i Italisë, në fakt, nuk është ndryshe nga ai i Rusisë… ata kanë marrë fëmijët tanë dhe po na mohojnë qasjen tek ta”, tha ai. CNN ka kontaktuar disa herë qeverinë italiane, Ombudspersonin italian për fëmijët dhe adoleshentët, Komisionin për adoptime ndërkombëtare dhe gjykatën që mori vendimin për adoptimin, por të gjitha kanë refuzuar të komentojnë, duke iu referuar ligjeve për privatësinë e të miturve. Shtëpia e fëmijëve që Rudyka drejtonte ndodhej në Sumy, një qytet në veri të Ukrainës që u rrethua pothuajse plotësisht nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit në shkallë të plotë në fillim të vitit 2022. Sipas Rudykas, një organizatë bamirëse që më parë organizonte pushime për fëmijët e kontaktoi me një ofertë për t’i evakuuar në Itali. Ajo udhëtoi drejt qytetit jugor italian Napoli në verën e vitit 2022 me 25 fëmijët që kishte në kujdes. “Mendova se do të ishte si një kamp veror: fëmijët do të kalonin pak kohë në Itali dhe më pas do të ktheheshin”, tha Rudyka për CNN. “Por pas rreth tri javësh, ndoshta një muaji, fëmijëve filluan t’u caktoheshin kujdestarë ligjorë italianë”, tha ajo. Edhe pse Rudyka ishte kujdestarja ligjore e fëmijëve sipas ligjit ukrainas, autoritetet italiane nuk e njohën atë si të tillë. Në vend të kësaj, sipas raportimeve të CNN, ata i trajtuan fëmijët si të mitur të pashoqëruar, u dhanë status refugjati dhe u caktuan kujdestarë të rinj. Kjo qasje bazohet në ligjin italian. Roma ka forcuar mbrojtjen ligjore për fëmijët refugjatë gjatë krizës së migracionit në Evropë një dekadë më parë. Ndër të tjera, ajo vendosi ndalimin e kthimit ose largimit të çdo të mituri të pashoqëruar nga Italia, përveç në raste të jashtëzakonshme të urdhëruara nga gjykata. Por kjo bëri që Ukraina të mbetej praktikisht pa mundësi për të ndikuar në fatin e fëmijëve të evakuuar. Avokatja italiane Rosa Emanuela Lo Faro, e cila përfaqëson disa nga të miturit, tha për CNN se në disa raste fëmijët u shkëputën plotësisht nga jeta e tyre në Ukrainë. “U ndalua komunikimi me kujdestarët në Ukrainë, me miqtë ukrainas, me të gjithë njerëzit ukrainas. Fëmija mund të komunikonte vetëm me kujdestarët e tij italianë dhe kaq,” tha ajo. Lo Faro ka punuar me autoritetet ukrainase dhe ka arritur që disa nga vendimet për kujdestari të rrëzohen nga Gjykata e Kasacionit në Itali, por sipas saj situata mbetet shumë e ndërlikuar. Ajo shtoi se në disa raste familjet kujdestare që dëshironin t’i adoptonin fëmijët ushtronin presion mbi autoritetet. “Ata argumentojnë se fëmijët janë më mirë këtu, se po kujdesen mirë për ta dhe se nëse kthehen në Ukrainë, do të përballen me luftën”, tha ajo. Thonë “ju lutem, lërini fëmijët këtu derisa të përfundojë lufta”. Kur një grup i madh jetimësh ukrainas mbërriti në Rota d’Imagna, një komunë e vogël në rajonin verior italian të Lombardisë në vitin 2022, mësuesi lokal Diego Mosca i ndihmoi t’i vendosnin në shkolla dhe nisi të organizonte aktivitete fundjavash dhe pushimesh për ta. Ai kërkoi ndihmën e kushërirës së tij, Michela Noris. “Unë dhe bashkëshorti im nuk kemi fëmijë, por donim t’u jepnim këtyre fëmijëve pak lehtësim, që të kishin momente të mira jashtë institucioneve, prandaj thamë: në rregull, mund të përpiqemi t’i strehojmë”, i tha ajo CNN. Noris tha se filluan me një djalë 11-vjeçar, por më pas morën edhe motrën e tij dhe fëmijë të tjerë. “Në fund strehuam rreth 10–12 fëmijë dhe na u desh të krijonim një sistem me radhë për kujdesin”, tha ajo për CNN. Programi funksionoi mirë – deri në verën e vitit 2024, kur stafi ukrainas që kishte ardhur me fëmijët njoftoi se do të kthehej në vendin e tyre. Noris dhe familjet e tjera të përfshira në strehim u tronditën. Ajo nisi një peticion duke kërkuar që të merreshin parasysh interesat më të mira të fëmijëve dhe ai mblodhi mbi 18.000 nënshkrime. “Ne nuk duam që fëmijët të mbeten përgjithmonë në Itali. Ne thjesht thamë: ‘Dëgjoni, e dimë që situata në Ukrainë është e tmerrshme. Lufta ende po vazhdon. Ju lutem, lërini fëmijët këtu derisa të përfundojë lufta, dhe pastaj t’i ktheni’”. Mosmarrëveshja ndërkombëtare Sasha ishte vetëm 10 vjeç kur një gjykatë në Ukrainë vendosi që ai dhe dy motrat e tij të hiqeshin nga kujdesi i prindërve për shkak të një situate të vështirë familjare, sipas dokumenteve gjyqësore. Të tre fëmijët jetonin në shtëpinë e fëmijëve në Sumy kur filloi lufta dhe ishin mes 25 fëmijëve që udhëtuan në Itali me Rudyka. Prindërit e Sashas nuk i humbën të drejtat prindërore, sipas vendimit, dhe CNN nuk po publikon mbiemrin e familjes për arsye privatësie. Rudyka tha se pritshmëria ishte që fëmijët të ktheheshin tek prindërit kur situata familjare të përmirësohej, por pushtimi e bëri këtë të pamundur. Në vitin 2023, kur u bë e qartë se lufta nuk do të përfundonte shpejt, autoritetet ukrainase vendosën t’i kthenin fëmijët në vend, duke gjetur shtëpi më të sigurta për ta në Ukrainën perëndimore. Rudyka gjeti një vend për ta në Ternopil, në perëndim të Ukrainës. Konsullata ukrainase në Napoli filloi të paraqiste kërkesa për kthimin e tyre në gjykatat italiane. Por, siç e kuptoi shpejt Rudyka, proceset gjyqësore po zhvilloheshin veçmas për secilin fëmijë – me rezultate shpesh shumë të ndryshme. “Prandaj ndodhi që disa fëmijë u kthyen, ndërsa të tjerët mbetën. Deri sot kemi ende pesë fëmijë në Itali”, tha ajo për CNN-in. Dy motrat e Sashas janë lejuar të kthehen në Ukrainë, por në rastin e tij gjykatat vendosën kundër kthimit dhe në prill miratuan adoptimin e tij nga familja italiane që e kishte pasur nën kujdestari që nga viti 2022. Tani 15 vjeç, djali është në qendër të një mosmarrëveshjeje ndërkombëtare. Një zëdhënës i UNHCR-së, Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, tha për CNN se qëndrimi i tyre zyrtar është që, duke pasur parasysh luftën, kthimet në Ukrainë duhet të ndodhin vetëm vullnetarisht dhe vetëm nëse vendi pritës vlerëson se është në interesin më të mirë të fëmijës. Lo Faro tha se gjykatat italiane për të mitur, të ndihmuara nga psikologë fëmijësh, duhet të marrin parasysh mendimet e fëmijëve gjatë vendimmarrjes. Por ajo shtoi se kjo është veçanërisht e ndërlikuar në rastin e fëmijëve ukrainas që kanë ardhur shumë të vegjël dhe mbajnë pak kujtime nga jeta në Ukrainë. “Është e qartë që ata thonë atë që dëshiron familja italiane, sepse kanë harruar jetën në Ukrainë, madje edhe gjuhën dhe zakonet, dhe sigurisht kanë përvetësuar zakonet italiane”, tha ajo. Nuk është e qartë çfarë dëshiron vetë Sasha – CNN nuk ka arritur të kontaktojë me të. Sipas Lo Faro, ai ka dhënë pëlqimin për adoptim. Megjithatë, familja e tij thotë se ai u ka thënë se dëshiron të kthehet në Ukrainë, ndërsa Rudyka i tha CNN se kur e pyeti, ai tha se nuk e dinte. Mosca, mësuesi që koordinoi programin në Rota d’Imagna, tha se shumë nga fëmijët duket se janë të ndarë emocionalisht, duke jetuar “me gjysmën e zemrës në një anë dhe gjysmën në tjetrën”. Babai i Sashas, një ushtar ukrainas, është shpallur i zhdukur në aksion që nga viti 2025. Nëna e tij, Natalia, i tha CNN-it se dëshiron që Sasha të kthehet të jetojë në Ukrainë; autoritetet ukrainase e mbështesin atë. Ajo beson se ai është penguar të komunikojë me familjen e tij në Ukrainë. “Unë ia kam dërguar urimet e mia për ditëlindje, por nuk e lejojnë të flasë me askënd – as me mua, as me motrat e tij, me askënd”, tha ajo. Gjykata për të mitur në Lecce, që e shqyrtoi rastin, nuk ka dhënë detaje, duke u thirrur në arsye ligjore. Lo Faro tha se tani po përpiqet të bllokojë adoptimin e Sashas, dhe se një seancë gjyqësore është planifikuar për këtë muaj. Vëllezërit kërkojnë të ribashkohen Sipas autoriteteve ukrainase, më shumë se 4.800 fëmijë janë evakuuar nga shkollat dhe shtëpitë rezidenciale të Ukrainës drejt disa vendeve evropiane në vitin 2022. Disa prej tyre ishin jetimë, ndërsa të tjerë, si Sasha dhe motrat e tij, ishin vendosur nën kujdes shtetëror. Lubinets, ombudspersoni ukrainas, i tha CNN-it se aktualisht ka më shumë se 300 fëmijë, kthimi i të cilëve në Ukrainë po pengohet nga autoritetet lokale, shumica në Itali, Gjermani dhe Austri. Volodymyr Ivanyuta, i cili është emëruar nga qeveria ukrainase për të përfaqësuar disa nga fëmijët ukrainas në Itali, tha se me kalimin e kohës ka parë që gjykatat italiane gjithnjë e më shpesh vendosin kundër kthimit të fëmijëve në Ukrainë, pavarësisht situatës së tyre. “Ne kemi fëmijë që jetojnë me një familje që po bën gjithçka për të penguar kthimin e tyre”, tha ai. “Pastaj kemi fëmijë nën kujdesin tonë që janë në shtëpi fëmijësh, nuk kanë persona të veçantë të interesuar për ta, dhe megjithatë edhe këta fëmijë nuk lejohen të kthehen nga gjykatat italiane”. Vëllezërit e Ivanit janë mes këtyre fëmijëve. Ivani, tani 20 vjeç, dhe katër vëllezërit e tij u vendosën nën kujdes shtetëror në vitin 2017 për shkak se nëna e tyre kishte vështirësi në kujdesin ndaj tyre. Kur filloi lufta në shkallë të plotë, tre djemtë më të vegjël u evakuuan në një shtëpi fëmijësh në Modica, Sicili, ku dy prej tyre, që janë ende të mitur, mbeten; ndërsa i treti tani jeton i vetëm në Itali, tha Ivani. “Jetesa e tyre është më ose më pak normale; ushqehen, por në përgjithësi nuk u pëlqen shumë atje”, tha Ivani, i cili aktualisht ndodhet në Gjermani dhe po përpiqet t’i ribashkojë vëllezërit. “I pyeta nëse donin të ktheheshin në Ukrainë. Ata thanë po”. Ivani tha se, ndonëse lejohet të komunikojë me vëllezërit e tij më të vegjël, kërkesat e tij për t’i vizituar janë refuzuar nga ata që janë përgjegjës për ta. “Kjo është një situatë e tmerrshme… ende nuk i kuptoj arsyet”, tha ai. Drejtori i institucionit nuk pranoi të komentojë për CNN-in për rastin, duke u thirrur në arsye privatësie. Ivani nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe ka qenë në kontakt me disa organizata joqeveritare që po e ndihmojnë të vazhdojë hapat e ardhshëm. “Italianët po vendosin fatin e familjes sime, të vëllezërve të mi, dhe as nuk më lejojnë t’i shoh”, tha ai. Noris tha se ende i mungojnë fëmijët që janë larguar nga qyteti i tyre në Italinë veriore dhe shpesh shqetësohet për sigurinë e tyre. “Ne i çuam dy prej tyre në det për tri ditë dhe ishin shumë të lumtur”, tha ajo. “Ata nuk kishin nevojë për asgjë të veçantë, nuk kishin nevojë për festa, nuk kishin nevojë për para – ata thjesht kishin nevojë, dhe ende kanë nevojë, për vëmendje, për kujdesin e njerëzve që kujdesen për ta. Kjo ishte e vetmja gjë që u duhej”.
