Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Këshillit Prokurorial i janë dërguar pesë emra të kandidatëve, që sipas panelit vlerësues, plotësojnë kushtet për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit. Ky institucion, më i larti në sistemin prokurorial, ka tre vjet gati që udhëhiqet me ushtrues detyre Paneli vlerësues ia ka dorëzuar për konfirmim Këshillit Prokurorial (KPK) emrat e 5 kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit. Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi janë 5 kandidatët, të cilët synojnë pozitën më të lartë në sistemin prokurorial. Në mbledhjen e panelit vlerësues, të mërkurën, kryesuesi Arian Gashi tha se Sekretariati i KPK-së ka bërë rishikimin paraprak të dokumentacionit të aplikuesve. “Gjithë procesi do të jetë transparent. Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka rishikuar materialet e pranuara nga aplikuesit për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit për të përcaktuar nëse i kanë plotësuar kriteret për t’u konsideruar fillimisht kandidatë për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit dhe tashmë ia ka dorëzuar panelit vlerësues listën e kandidatëve të cilët e plotësojnë listën e kandidatëve”, ka thënë Gashi. Fillimisht mbledhja e panelit ishte e hapur për media, ndërsa shqyrtimi i dosjeve të kandidatëve vazhdoi pa praninë e kamerave, me arsyetimin se ka dokumente me përmbajtje konfidenciale. Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi pret që procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit, të zhvillohet bazuar në legjislacionin në fuqi. “Instituti i Kosovës për Drejtësi pret që procesi i kryeprokurorit të Shtetit të zhvillohet në tërësi bazuar në legjislacionin në fuqi, në rregulloret dhe ligjet përkatëse të cilat rregullojnë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës. Ligji dhe rregulloret në fuqi që duhet të respektohen nga ana e panelit vlerësues, por edhe nga ana e vetë Këshillit Prokurorial të Kosovës, në fund që të kemi një kandidat të prodhuar, i cili është nxjerrë në tërësi duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe i cili kandidat të dekretohet në pozitën e kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë Kabashi. Konkursi i shpallur në maj të këtij viti, është mbyllur një javë më parë. Në mesin e kandidatëve nuk është kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, të cilin KPK-ja e pati zgjedhur në konkursin e rreth tre vjetëve më parë. Në tetor të 2023-tës, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. Që nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.
