Argjentina e ka nisur me fitore fushatën në Kupën e Botës, duke mposhtur Algjeria me rezultat 3-0 në ndeshjen e Grupit J të zhvilluar në Kansas City. Heroi i takimit ishte kapiteni Lionel Messi, i cili realizoi të tre golat në minutat 17, 60 dhe 76, duke udhëhequr kampionët në fuqi drejt një fillimi perfekt në turne. Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me dy gola të anuluar brenda tetë minutave të para. Fillimisht Messi shënoi në minutën e 4-t, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa pak më vonë Fares Chaïbi shënoi për Algjerinë, por goli i tij u anulua gjithashtu. Në minutën e 17-të, Argjentina kaloi në avantazh. Rodrigo De Paul asistoi për Messin, i cili u fut në zonë dhe realizoi me një goditje të saktë nga rreth 17 metra. Me këtë gol, të 14-tin e tij në historinë e Kupave të Botës, Messi iu bashkua emrave si Kylian Mbappé dhe Gerd Müller në listën e golashënuesve më të mirë historikë të turneut. Në pjesën e dytë, Argjentina e vulosi fitoren. Në minutën e 60-të, pas një tentative të Alexis Mac Allister që u devijua nga portieri Luca Zidane, Messi ishte i pari në top dhe e dërgoi në rrjetë për 2-0. Ky ishte goli i tij i 15-të në Kupën e Botës, duke e barazuar me Cristiano Ronaldon në listën historike të realizuesve. Het-triku u kompletua në minutën e 76-të, pas një kombinimi me Nicolás González, kur Messi realizoi bukur nga kufiri i zonës për 3-0 final. Në minutën e 79-të, trajneri Lionel Scaloni e zëvendësoi Messin, ndërsa i gjithë stadiumi e përcolli me duartrokitje. Përveç fitores, Messi vendosi edhe rekorde historike: arriti 200 paraqitje me kombëtaren dhe u bë lojtari i parë që luan në gjashtë Kupa Bote të ndryshme. Argjentina e nis kështu me dominim të plotë mbrojtjen e titullit botëror.
Messi shkruan histori me het-trik, Argjentina nis mbrojtjen e titullit me fitore të thellë

Burimi:
Telegrafi