Aktori Mehdi Malkaj është bërë sërish pjesë e protestës së qytetarëve të cilët protestojnë kundre kastës së vjetër politike. Në fjalën e tij para Kryeministrisë, Malkaj dha një mesazh të fortë. “Për dashurinë jap jetën, por për atdheun jap dashurinë!”, tha Malkaj, i cili shtoi se gjyshërit janë kujtesa emocionale dhe historike e një populli. Nga ana tjetër, një prej aktivisteve, Luçiana Kokaj, në fjalën e saj u shpreh se sot do ngremë zërin edhe për gjyshërit dhe pensionistët, shtresën më të nëpërkëmbur nga ky sistem. “Ne menduam që sot të ngremë zërin për gjyshërit tanë për shtresën që ky sistem e ka trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Në familjet tonë nuk ka një gjysh që jeton me dinjitet me pensionin e tij. Varet nga fëmijët e vet, për të dhënë lek nga mërgimi për ilaçet. Ndaj sot ka qenë një thirrje shumë e bukur merr gjyshin në protestë. Sot do ngremë zërin shumë fort për gjithë gjyshërit tanë. Që mundi i tyre të shpërblehet. Rama jepe dorëheqje!”, tha ajo.
