MedTech & Digital Health Kosova 2026 bashkoi ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar të ardhmen e shëndetësisë digjitale

0%

Dje në Prishtinë u mbajt me sukses konferenca “MedTech & Digital Health Kosova 2026”, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, profesionistë të shëndetësisë, ekspertë të teknologjisë, akademikë dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjive mjekësore dhe shëndetësisë digjitale. Konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në transformimin digjital të sistemeve shëndetësore, duke trajtuar tema si inteligjenca artificiale në mjekësi, të dhënat shëndetësore, telemjekësia, siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave të pacientëve dhe zhvillimi i ekosistemit të inovacionit në Kosovë dhe rajon. Gjatë sesioneve, folës vendorë dhe ndërkombëtarë prezantuan perspektiva dhe zgjidhje konkrete mbi mënyrën se si teknologjia mund të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e efikasitetit të proceseve klinike dhe administrative, si dhe zgjerimin e qasjes së qytetarëve në kujdes shëndetësor. Një nga mesazhet kryesore të konferencës ishte se transformimi digjital në shëndetësi nuk synon të zëvendësojë profesionistët shëndetësorë, por të mbështesë punën e tyre përmes mjeteve që mundësojnë vendimmarrje më të informuar, procese më efikase dhe rezultate më të mira për pacientët. Diskutimet theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat, akademisë dhe startup-eve për të përshpejtuar zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inovative në sektorin e shëndetësisë. “MedTech & Digital Health Kosova 2026” konfirmoi nevojën për investime të vazhdueshme në inovacion, teknologji dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale, si elemente kyçe për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më efikas, më të qasshëm dhe më të qëndrueshëm. Organizatorët, ASPKS dhe , shprehën mirënjohjen e tyre për të gjithë folësit, panelistët, partnerët institucionalë, sponsorët 91 Life, Yess Pharma, Sentry Security dhe BPB Banka, si dhe partnerët medialë Telegrafi, Gazeta Shneta dhe TV Dukagjini, për kontributin e tyre në suksesin e konferencës dhe avancimin e dialogut mbi të ardhmen e shëndetësisë digjitale në Kosovë.

Burimi: Telegrafi