Martinez pritet të largohet nga Portugalia pas Botërorit

0%

Roberto Martinez pritet të largohet nga posti i trajnerit të Portugalisë menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës, pavarësisht rezultatit që kombëtarja portugeze do të arrijë në këtë turne. Sipas raportimeve, trajneri spanjoll ka kontratë vetëm deri në fund të muajit korrik dhe nuk ka ndërmend ta rinovojë atë. Martinez ka tre vjet në krye të Portugalisë dhe thuhet se tashmë ka marrë vendimin për t’u larguar, me mundësinë e rikthimit në futbollin e klubeve. Ish-trajneri i Wigan Athletic dhe Everton po i mban të hapura opsionet për aventurën e radhës. Një rikthim në Premier League nuk përjashtohet, ndërsa emri i tij është lidhur edhe me disa poste të tjera në Evropë. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që ai të marrë drejtimin e një tjetër kombëtareje. Martinez ka pasur një periudhë pozitive me Portugalinë, duke regjistruar përqindjen më të lartë të fitoreve nga të gjithë trajnerët e përhershëm në historinë e kësaj kombëtareje. Edhe pse Portugalia u eliminua nga Franca me penallti në çerekfinale të Euro 2024, skuadra reagoi fuqishëm duke mposhtur Spanjën në finalen e Ligës së Kombeve verën e kaluar. Tani, 52-vjeçari synon ta mbyllë aventurën e tij me një tjetër trofe, teksa Portugalia kërkon ta fitojë Kupën e Botës për herë të parë në histori. Martinez ka përvojë në Botëror edhe nga periudha e tij me Belgjikën. Në vitin 2018 e udhëhoqi Belgjikën drejt vendit të tretë, ndërsa në vitin 2022 u eliminua papritur që në fazën e grupeve. Portugalia hyn në Botërorin 2026 si një nga favoritet kryesore, falë një skuadre të mbushur me yje. Ajo e nis turneun ndaj Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa në Grupin K do të përballet edhe me Uzbekistanin dhe Kolumbinë. Para nisjes së turneut, Martinez foli për atmosferën pozitive që mbizotëron rreth kombëtares portugeze. “Nuk do të thosha se në Portugali ka ankth për ta fituar Kupën e Botës. Do të thosha se ka emocion dhe shpresë. Kjo vjen nga këta lojtarë”, deklaroi Martinez. “ Po flasim për Cristiano Ronaldon, kapitenin e Manchester United, Bruno Fernandes, kapitenin e Portos, Diogo Costa, kapitenin e Manchester City, Bernardo Silva, dhe katër lojtarë të rëndësishëm te kampioni i Evropës, Paris Saint-Germain. Kjo e bën popullin portugez të ndihet mirë. E dimë që nuk e kemi fituar kurrë Kupën e Botës dhe kjo tregon se është shumë e vështirë. E dimë që gjërat mund të ndryshojnë shpejt, se vetëm talenti nuk mjafton dhe se detajet e vogla mund të shkojnë kundër teje. Por le të ëndërrojmë. Unë mendoj se mundemi. Dhe ky është mentaliteti që dua ta ketë skuadra jonë”, përfundoi Martinez.

Burimi: Bota Sot