Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se mandatet e LDK-së mund të jenë vendimtare në këtë proces. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se 18 mandatet e LDK-së mund të luajnë rol kyç në zgjedhjen e presidentit të vendit. Duke folur në emisionin “Pressing” në T7, Haziri tha se emri i Vjosa Osmanit nuk duhet të shihet si pengesë për arritjen e një marrëveshjeje politike që, sipas tij, do t’i jepte vendit stabilitet dhe normalitet institucional. “Ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmuar se emri i saj nuk është asnjëherë problem për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë vendit stabilitet dhe normalitet”, ka thënë Haziri. I pyetur nëse presidentja Osmani mund të tërhiqet për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje të mundshme, Haziri u shpreh se në bisedime politike palët hyjnë me emra konkretë për secilin pozicion. “Natyrisht që ne në bisedime hyjmë me emra konkretë për çdo pozicion, nuk ka nevojë me u tërheq edhe pa u ftuar”, ka deklaruar ai. Sipas Hazirit, LDK-ja, me 18 mandatet e saj, mund të jetë faktor i rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së presidentit, nëse partitë politike synojnë një marrëveshje më të gjerë për stabilitet institucional.
Haziri paralajmëron rol vendimtar të LDK-së: Me 18 mandatet tona mund të zgjidhet presidenti

Burimi:
Bota Sot