Gërvalla pas vizitës në Prokurorinë e Mitrovicës: Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin

0%

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Njazi Rexha. Gjatë takimit është diskutuar për funksionimin e sistemit prokurorial, sfidat institucionale dhe nevojën për forcimin e sundimit të ligjit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla tha se në fokus të bashkëbisedimit ishte puna e prokurorisë dhe garantimi i efikasitetit në trajtimin e lëndëve. “Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, së bashku me ekipin tim u pritëm nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit, z. Njazi Rexha. Në fokus të bashkëbisedimit ishte funksionimi institucional i sistemit prokurorial, si dhe puna e sfidat në garantimin e efikasitetit dhe koordinimit në trajtimin e lëndëve”, ka shkruar Gërvalla. Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi dhe rritja e llogaridhënies në sistemin prokurorial mbeten elemente thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional. “Reforma në drejtësi përmes pakos prej pesë ligjeve dhe nevoja për rritje të llogaridhënies në sistemin prokurorial, janë shtylla kyçe të forcimit dhe thellimit të sundimit të ligjit e të forcimit të integritetit institucional”, është shprehur ministrja në detyrë. Sipas saj, ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. “Ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, si parakusht për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në drejtësi”, ka deklaruar Gërvalla. Në reagimin e saj, ajo ka nënvizuar se shteti i së drejtës ndërtohet përmes zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët. “Shteti i së drejtës nuk ndërtohet me deklarata, por me vendosmërinë për ta zbatuar ligjin pa përjashtim. Kur askush nuk është mbi ligjin, Republika fiton forcën e saj më të madhe, besimin e qytetarëve ”, ka thënë ajo. Ministrja në detyrë ka ritheksuar rëndësinë e sundimit të ligjit si bazë e funksionimit të shtetit. “Sundimi i ligjit është forca e vërtetë e Republikës. Në Kosovë, ligji është standardi i vetëm i barazisë. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka për shtuar Gërvalla.

Burimi: Bota Sot