Protestat e qytetarëve kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit kanë vijuar edhe këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 18-të të mobilizimit të tyre. Ndryshe nga ditët e mëparshme, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në orën , pas ndryshimit të orarit për shkak të temperaturave të larta. Pas grumbullimit në shesh, qytetarët kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku janë parë me pankarta dhe flamuj në duar, ndërsa kanë bërë thirrje për bashkim të qytetarëve në protestë dhe për vijimin e qëndresës së tyre. Ndër kërkesat e protestuesve është kërkuar edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ashtu si në ditët e mëparshme, në protestë janë parë edhe prindër me fëmijë të mitur, të cilët kanë marrë pjesë në marshime që pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës në rrugët e kryeqytetit. Paralelisht, protesta është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit, ku një grup qytetarësh janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Të rinj dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur pankarta dhe flamuj, ndërsa kanë mbajtur fjalime dhe kanë artikuluar kërkesa drejtuar qeverisë. Gjatë protestës në Elbasan, një nga qytetarët e pranishëm u shpreh se qyteti po përballet me probleme të rënda të zhvillimit dhe menaxhimit, duke kritikuar politikat qeveritare. Ndërkohë, protesta kryesore është përqendruar në Tiranë, ku pjesëmarrja mbetet më e lartë dhe ku pas fjalimeve protestuesit pritet të vijojnë marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Dita e 18-të e protestës, qytetarët: Votimi në PE për zonat e mbrojtura, fitorja jonë e parë

Burimi:
Telegrafi