Anglia sonte në fushë, a do ‘shpërthejë’ Bellinghami?

0%

Jude Bellingham luan në Kupën e Botës me synimin për të rikthyer statusin e tij si “ylli i madh” i Anglisë, pas një periudhe ku roli i tij në kombëtare është bërë më i debatueshëm krahasuar me Euro 2024, ku ai u kthye në hero me golin spektakolar me roveshatë kundër Sllovakisë në minutat e fundit. Edhe pse Anglia humbi finalen ndaj Spanjës në Berlin, Bellingham u pa si futbollisti kryesor i brezit të ri dhe lojtari që mund të udhëheqë ekipin drejt suksesit. Megjithatë, dy vite më vonë, në prag të Botërorit, ndikimi i tij në kombëtare është zbehur disi për shkak të konkurrencës së fortë dhe vendimeve taktike të trajnerit Thomas Tuchel. Tuchel ka vendosur të mos mbështetet te “yjet” e ekipit, duke krijuar një sistem ku askush nuk ka vend të sigurt. Kjo ka sjellë një rivalitet të drejtpërdrejtë për rolin pas Harry Kane, ku Bellingham është përballë me Morgan Rogers. Ky i fundit është rritur gjhithashtu shpejt profesionalisht. Në disa raste, marrëdhënia mes Bellingham dhe Tuchel është dukur e tensionuar, sidomos pas deklaratave të trajnerit për sjelljen e lojtarit dhe vendimeve për ta lënë jashtë disa grumbullimeve. Kjo ka bërë që Bellingham të ketë një periudhë jo aq të mirë me Kombëtaren. Megjithatë, në grumbullimin aktual për Botërorin në SHBA, Bellingham është rikthyer në formë të mirë fizike dhe duket më i fokusuar. Ai është integruar mirë në skuadër dhe shihet si një figurë udhëheqëse brenda dhomës së zhveshjes, duke treguar pjekuri edhe pse është vetëm 23 vjeç. Ish-lojtarë dhe ekspertë anglezë besojnë se Bellingham mbetet “X-Faktori” i Anglisë. Sipas tyre, ai është lojtar i ndeshjeve të mëdha, me përvojë në turne ndërkombëtarë dhe në Champions League me Real Madrid e mund të bëjë diferencën në momente vendimtare. Megjithatë, Tuchel vazhdon të theksojë se askush nuk është i pazëvendësueshëm përveç Harry Kane, duke e bërë të qartë se edhe Bellingham duhet të luftojë për vendin e tij. Kjo situatë ka krijuar një presion të ri mbi mesfushorin, i cili duhet të dëshmojë veten që nga ndeshja e parë e turneut kundër Kroacisë. Në kampin anglez besohet se nëse Bellingham arrin të gjejë formën e tij më të mirë, Anglia do të ketë një shans shumë më të madh për të fituar Botërorin, pasi ekipi anglez nuk ka fituar një Kupë bote që më 1966. Ai shihet si lojtar që mund të sjellë kreativitet, gola dhe lidership në momentet vendimtare. Bellingham hyn në këtë Botëror jo vetëm si talenti i madh i Anglisë, por edhe si një lojtar që duhet të rikthejë statusin e tij si lider absolut dhe të tregojë në fushë arsyen se përse shumë ende e konsiderojnë “yllin” e ardhshëm të futbollit anglez.

Burimi: Bota Sot