Data finale për vendimin ndaj katër ish- krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ishte më 20 korrik, por ditë më parë kjo datë u ndryshua. Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovës, tashmë ka caktuar 16 shtatorin si datë në të cilën do të shpallet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Për këtë vendim të shtyerjes së afatit, Specialja ka dhënë arsyetim se është bërë për shkak të vëllimit të madh të provave.
“Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.
Historia, rëndësia dhe pritshmëritë Avokati Gazmend Halilaj, datën 16 shtator e konsideron një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike dhe institucionale të Kosovës.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se një proces i kësaj natyre nuk duhet të vlerësohet mbi bazën e pritjeve politike apo emocionale, por mbi respektimin e procedurave ligjore dhe administrimin e drejtë të provave. “Shpallja e aktgjykimit të 16 shtatorit përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike dhe institucionale të Kosovës.
Përtej fatit të personave të përfshirë në proces, ky vendim do të jetë një provë e rëndësishme për funksionimin e shtetit të së drejtës, respektimin e standardeve të drejtësisë dhe besueshmërinë e institucioneve gjyqësore.
Një proces i kësaj natyre nuk duhet të vlerësohet mbi bazën e pritjeve politike apo emocionale, por mbi respektimin e procedurave ligjore dhe administrimin e drejtë të provave. Pikërisht ky është themeli i çdo sistemi demokratik: drejtësia nuk matet me shpejtësinë e vendimmarrjes, por me cilësinë, paanshmërinë dhe ligjshmërinë e saj. ”, thotë Halilaj për “Bota sot”.
Garancia më e mirë e vendimit përfundimtar, sipas Halilajt, është të mbështetet në prova dhe në ligj, e jo në perceptime apo presione të jashtme.
Avokati Gazmend Halilaj “Kohëzgjatja e këtij procesi, megjithëse ka qenë objekt debatesh të shumta, pasqyron edhe kompleksitetin e jashtëzakonshëm të çështjes, numrin e madh të provave, dëshmitarëve dhe standardeve që kërkohen në procese të tilla.
Në drejtësinë penale ndërkombëtare, një vendim i qëndrueshëm kërkon analizë të thelluar dhe respektim rigoroz të të drejtave procedurale të të gjitha palëve. Kjo është garancia më e mirë që vendimi përfundimtar të mbështetet në prova dhe në ligj, e jo në perceptime apo presione të jashtme”, shprehet avokati.
Sipas tij, pavarësisht përfundimit të aktgjykimit, përgjegjësia penale është gjithmonë individuale dhe nuk mund të shtrihet mbi një një popull, mbi një luftë çlirimtare apo mbi aspiratën e Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Pavarësisht përfundimit të aktgjykimit, mesazhi që duhet të dalë nga ky proces është se sundimi i ligjit mbetet parim themelor i një shoqërie demokratike dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Në të njëjtën kohë, po aq i rëndësishëm është edhe respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë dhe i së drejtës për një gjykim të drejtë, sepse drejtësia nuk ndërtohet mbi paragjykime, por mbi fakte dhe prova të vërtetuara.
Përgjegjësia penale është gjithmonë individuale dhe nuk mund të shtrihet mbi një popull, mbi një luftë çlirimtare apo mbi aspiratën e Kosovës për liri dhe pavarë si”, thekson Halilaj. Ai kërkon që institucionet dhe subjektet politike të tregojnë pjekuri demokratike. Sipas tij, duhet respektuar procesi dhe vendimi përfundimtar, pavarësisht rezultatit.
“Një aktgjykim i mbështetur në standardet më të larta juridike do të ndikojë edhe në forcimin e besimit të qytetarëve në drejtësi dhe në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës si shtet që respekton institucionet dhe sundimin e ligjit.
Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që institucionet dhe subjektet politike të tregojnë pjekuri demokratike duke respektuar procesin dhe vendimin përfundimtar, pavarësisht rezultatit.
Në këtë frymë, qëndrimet e atyre forcave politike që kanë vendosur në qendër forcimin e shtetit ligjor, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, janë në përputhje me parimin se drejtësia duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje politike dhe me besim të plotë te institucionet.
Vetëm përmes respektimit të ligjit dhe të vendimeve gjyqësore ndërtohet një shtet më i fortë, më demokratik dhe më i besueshëm, si për qytetarët e tij, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë ”, shton avokati. Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve filloi më 3 prill të vitit 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill të vitit 2025. Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor të vitit 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes. Kush do të dënohet?
Ndërsa, ish- agjenti i SHIK-ut dhe ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se do të jetë interesant dënimi apo lirimi i i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Naim Miftari Ai konsideron se ndryshe do të jetë për të tjerët, pra për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Sipas mendimit tim, aktgjykimi do të jetë as i mirë, as i keq, pasi dikush do të dënohet, edhe pse krimet e supozuara janë individuale. Prapë preket lufta e drejtë dhe UÇK-ja, dhe Serbia do ta përdorë këtë etiketë në çdo rrethanë.
Do të jetë interesant dënimi apo lirimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pasi nëse do të dënohen, a dënohen vetëm pse ishin pjesë e strukturës dhe e urdhrave komanduese të UÇK-së, apo do të dënohen se kanë punuar e vepruar në UÇK për interesat e shërbimit sekret francez, përderisa Franca ishte dhe është edhe sot aleate shekullore e Serbisë.
Krejt çështje tjetër janë Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët, nëse dënohen, dënohen vetëm se kanë vepruar në udhëheqjen e UÇK-së, por jo nën urdhrat e shërbimeve të huaja sekrete, disa edhe armiqësore” , shprehet Miftari për “Bota sot”. Ai beson në vendim balancues të gjykatës, gjersa thotë se nuk do të gëzohet as Kosova, e as Serbia.
“Edhe pse edhe vetë, si epror dhe pjesëtar i UÇK-së dhe TMK-së, e kam thënë disa herë, edhe në Gjykatën Speciale, se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe se UÇK-ja nuk kishte kryer kurrë krime lufte. Gabime ose krime individuale mund të ketë dhe jam i sigurt se ka, por jo krime lufte të organizuara, të urdhëruara dhe të ekzekutuara nga vetë UÇK-ja.
Gjithashtu, aktakuza për tregti me organe ishte një rrenë e madhe, një propagandë serbo-ruse. Vendimi i gjykatës besoj se do të jetë balancues. Nuk do të gëzohet as Kosova, por as Serbia me vendimin që do të sjellë kjo gjykatë”, thekson ish- eprori. Lufta e tyre, sipas Miftarit, është ndyrë nga Thaçi me profiterët tjerë të luftës dhe të korruptuarit e pasluftës.
“Në fund e them edhe sot, ashtu siç e kam thënë që nga paslufta, se luftën e pastër të UÇK-së e të popullit tonë nuk e ka etiketuar e ndyrë, as nuk na ka bërë dëm shteti i Serbisë, sa na e kanë ndyrë luftën tonë të pastër Hashim Thaçi me profiterët tjerë të luftës dhe të korruptuarit e pasluftës, që asgjë nuk ia lëshojnë rrugën Serbisë, sa e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës dhe luftën e drejtë të UÇK-së.
Emri i lirisë është dëshmori, invalidi, luftëtari, kontribuuesi… Nuk mund të jetë emri i lirisë sonë hajni i fondeve të luftës, poliagjentët dhe kriminelët e korruptuar, ose i pamoralshmi, uzurpatori e oligarku i korrupsionit politik”, shton Miftari. Në fund, ai pret të shikojë kush do të dënohet.
“Në këtë gjykim pres ta shoh nëse dënohen eprorët dhe luftëtarët e UÇK-së vetëm se kanë luftuar kundër Serbisë, apo do të dënohen poliagjentët e shteteve armiqësore që, nën hije, natë e ditë, kanë punuar kundër luftës së drejtë të UÇK-së dhe kundër Kosovës gjatë dhe pas luftës ”, përfundon Miftari për “Bota sot”.
